Bibla hebraike e quan Psalterin תהלים, tehillim, që do të thotë “lavde”. Titulli “Libri i Psalmeve” vjen nga Luka 20:42, ku Zoti ynë e quajti Psalterin me këtë emër, dhe po kështu e quajti edhe Pjetri në Kishën e hershme, siç dëshmohet te Veprat 1:20. Qoftë kur kemi parasysh hebrenjtë, qoftë të krishterët që nga fillimet e Kishës, besimtarët i kanë çmuar lart dhe i kanë mbajtur gjithnjë për thesar Psalmet. Të krishterët, të mbledhur bashkërisht në adhurimin e përbashkët, duhet t’i këndojnë rregullisht Psalmet, dhe këtë për shumë arsye.
1. Psalmet janë himnet e frymëzuara dhe të urdhëruara nga Perëndia për këndim
Së pari, le të kemi parasysh se Apostulli Pal, në Shkrimet e Dhiatës së Re, jep urdhërime që ta bëjmë këtë: “duke i folur njëri-tjetrit me psalme” (Efesianëve 5:19), dhe shton gjithashtu: “Fjala e Krishtit banoftë në ju me begatinë e saj; në çdo urtësi, mësoni dhe këshilloni njëri-tjetrin … duke kënduar psalme” (Kolosianëve 3:16). Në pasazhin e Efesianëve, gramatika greke përdor pjesore në shumës, të cilat tregojnë se si do të shfaqet në bashkësinë e krishterë zbatimi praktik i të qenit i mbushur me Frymën. Pa dyshim, nga mirënjohja, ne duam t’i përmbushim urdhërimet e Perëndisë. Sigurisht, të krishterët janë të mbushur me Frymën, dhe një pasojë e natyrshme e kësaj (ndër të tjera), sipas Apostullit, do të jetë praktika e të kënduarit të psalmeve. Natyrisht, kur kthehemi te Shkrimet e Dhiatës së Vjetër, e veçanërisht te vetë Psalteri, shohim të njëjtat urdhërime të vëna përpara hebrenjve. Psalme të shumta e urdhërojnë bashkësinë t’i këndojë lavdet e Perëndisë (p.sh., sidomos përmbledhja kulmore në fund të Psalterit, Psalmet 146–150).
2. Psalmet ishin himnet e Jezusit dhe të shenjtorëve të Tij
Së dyti, të krishterët duhet t’i këndojnë psalmet, sepse ato zënë një vend kaq të veçantë në Shkrimin e Shenjtë. Le të kemi parasysh faktin se kemi këtu një përmbledhje lutjesh, të cilat i kënduan ata hebrenj të perëndishëm që shkuan përpara nesh. Ky është karakteri themelor i Psalterit, ai “i jep zë përgjigjes subjektive ndaj veprave objektive të Perëndisë për popullin e tij dhe mes tij”.1 Për më tepër, le të kemi parasysh se kjo përmbledhje nuk është thjesht fjalët e lutjes së njerëzve, por është edhe vetë fjala e frymëzuar e Perëndisë. Kur i këndojmë Psalmet, jo vetëm që bashkohemi me ata që shkuan përpara nesh për t’i kënduar Perëndisë së vërtetë me vetë fjalët e tij të frymëzuara, por këndojmë edhe lutje që Zoti ynë Jezu Krisht i përdori si librin e tij të lutjes dhe që ai vetë i këndoi në lavdërim dhe në ankth. Ç’privilegj është të bashkohemi me shenjtorët dhe me Shpëtimtarin, duke i ngritur lart lavdet tona së bashku me ata drejt Perëndisë së gjallë!
3. Psalmet na mësojnë se si duhet të lutemi
Së treti, të krishterët duhet t’i këndojnë psalmet, sepse ato janë një shkollë e madhe — ndoshta më e madhja — e lutjes. Jo vetëm që lutemi siç u lut Shpëtimtari ynë i mishëruar, jo vetëm që lutemi siç u lutën etërit tanë të perëndishëm, por mësojmë edhe se për çfarë duhet të lutemi, dhe se si duhet t’i këndojmë ato lutje. Me një fjalë, mësojmë se cili duhet të jetë qëndrimi ynë nën dritën e vizionit të së kaluarës dhe të së ardhmes, që Psalteri i përshkruan aq shpesh. Në Psalme ka shumë zhanre (p.sh., vajtime, himne, falënderime, psalme urtësie, psalme mbretërore), por kjo është pikërisht që të udhëzohemi në besimin tonë më të shenjtë me të gjitha të vërtetat e tij të shumanshme. Në këtë drejtim, Psalteri është si një diamant i bukur me shumë faqe, që thyejnë rreze të ndryshme drite të ngjyrosur. Por Psalteri është edhe si një katedrale madhështore, në të cilën të gjitha pjesët e ndryshme — disa të shtuara në kohë të ndryshme dhe në vende të ndryshme, me synimin për të krijuar një tërësi të njësuar dhe sublime — i janë lënë tani trashëgim kishës, që ajo të hyjë dhe të mësojë si të lutet përmes këngës. Në këtë hapësirë të bukur, ne mësojmë jo vetëm se për çfarë duhet të lutemi, por edhe si të lutemi. Dhe këtë e mësojmë jo vetëm nga fjalët e thjeshta të shkruara atje për ne — fillimisht në hebraisht, e tani të përkthyera në gjuhën tona — por mësojmë gjithashtu, në këtë shkollë lutjeje që ngjan me një katedrale, si të lutemi përmes formës së bukur biblike, në të cilën fjalët janë vendosur si gurë të çmuar. Në Psalter mësojmë si ta çmojmë teologjinë e pasur që shtjellohet në fjalë, dhe mësojmë se ato shkëlqejnë sepse janë vendosur në një formë që është e bukur, si në Psalmet e veçanta, ashtu edhe në tërësinë përfundimtare të asaj që e quajmë Libri i Psalmeve.
4. Psalmet i këndojnë Krishtit dhe Veprave të Tij
Së katërti, kjo na çon te arsyeja tjetër (dhe ndoshta më e rëndësishmja) përse të krishterët i këndojnë Psalmet. Ne i këndojmë Psalmet sepse ato flasin për Krishtin dhe për Ungjillin; në të vërtetë, e gjithë mbretëria e Perëndisë, deri në ditën e fundit, përshkruhet në librin e Psalmeve. Kjo nënkupton, për shembull, se beteja e madhe e përshkruar në Psalmin 149 nuk i referohet vetëm një beteje kundër kananenjve, por është edhe një pamje e betejës së fundit të madhe, kur Jezusi i mund armiqtë e tij dhe ndëshkimi përfundimtar bie mbi kokat e armiqve të Perëndisë. Atëherë Psalmi 150, në një lexim të tillë, është qetësia paqësore që pason fitoren, me një thirrje të begatë për lutje dhe lavdërim.
Pikërisht në këtë pikë hyjmë, mbase, në fushën e debatit se si duhet interpretuar psalmet. Shumë të krishterë me qëllime të mira kanë qenë të kujdesshëm në të pohuarit se i gjithë Psalteri e paraqet Krishtin dhe Ungjillin e tij. Shumë të tjerë i druhen alegorizimit të tepërt të Biblës. Rrëfimi i Besimit i Uestminsterit, për shembull, bën pohimin e rëndësishëm se kuptimi i vërtetë dhe i plotë i çdo Shkrimi nuk është i shumëfishtë, por një.2 Teologët e Uestminsterit, ka shumë të ngjarë, e parashtrojnë këtë të vërtetë si përgjigje ndaj asaj “alegorie të shfrenuar” që ekzistonte përpara kohës së Reformacionit. Disa, si Luteri për shembull, u përpoqën t’i kapërcenin këto metoda duke thënë se Krishti ishte, në të vërtetë, “kuptimi literal”. Të tjerë, si Kalvini, ishin të kujdesshëm që të mos bënin një zbatim tepër të shpejtë te Krishti, pa e vlerësuar horizontin fillestar historik të autorit njerëzor dhe të mjedisit të tij.
Megjithëse Kalvini tregoi kujdes të madh për ta ruajtur kuptimin literal të çdo Psalmi në kontekstin e kuptimit të tij historik, ai pranoi gjithashtu se, përveç autorit njerëzor, kishte edhe një Autor tjetër, Autorin Parësor dhe Hyjnor. Edhe pse mendonte se në çdo psalm individual komunikohej një kuptim i vetëm, Autori hyjnor mund të synonte që këto pohime të Psalmeve të kishin edhe referentë të tjerë të ardhshëm — një kuptim të zgjeruar. Për shembull, një pohim për mbretin David mund — dhe shpesh duhet — të zbatohet edhe për birin më të madh të Davidit, Zotin Jezu Krisht. Këtë parim metodologjik Kalvini e mori nga retorika klasike. Kur e lexonte një Psalm në sfondin e gjithë mbretërisë së Krishtit, ai e kuptonte se përpjekja për ta shteruar kuptimin e çdo pohimi të Psalmit me anë të një përmbushjeje të vetme kohore, të kufizuar në horizontin fillestar dhe në kontekstin historik të Psalmit, mund të rezultonte një varfërim i kuptimit të synuar hyjnisht të tekstit. Kuptimi i çdo Psalmi të dhënë është më shumë se thjesht referimi ndaj horizontit fillestar historik të Psalmit, sado i rëndësishëm që të jetë ky. Mjafton të shohim se si e përdorin Shkrimet kanonike Psalmin 2, për shembull, që kjo pikë të ilustrohet mjaftueshëm.
Argumentit metodologjik mund t’i shtohet edhe një argument teologjik. Nëse besojmë me Rrëfimin e Uestminsterit të vërtetën biblike se Krishti është i një substance, fuqie dhe përjetësie me Atin3 dhe se Krishti, për rrjedhojë, është vetë Perëndia, atëherë, kur shohim dhe këndojmë emrin besëlidhjor të Perëndisë, JEHOVA, të zbuluar në Psalter, ose kur Psalteri i referohet Perëndisë së vetëm të vërtetë, ne po shohim, po këndojmë dhe po flasim për personin e Zotit Jezu Krisht. Prandaj duhet të kujtojmë se, kur këndojmë për Perëndinë nga libri i Psalmeve, po këndojmë edhe për Krishtin. Kjo përputhet me vërejtjen e Lukës 24:26–27 dhe 44–47, se Zoti ynë u zbuloi dishepujve në rrugën për në Emaus se Shkrimet e Dhiatës së Vjetër dëshmonin për të.
Tradicionalisht, vetëm disa Psalme që citohen shprehimisht në Dhiatën e Re me referim ndaj Krishtit janë konsideruar mesianike (Psalmet 2, 8, 16, 22, 40, 68, 69, 89, 109, 110, 118 dhe 132). Shtojini kësaj faktin se disa pasazhe të Dhiatës së Re i bëjnë aluzion Psalterit në mënyrë më të hollë, dhe lista zgjerohet (p.sh., Psalmi 31:5, të cilit i bëhet aluzion te Luka 23:46). Kisha nuk ia ka dalë gjithmonë aq mirë në të kuptuarit se si Dhiata e Vjetër jehon brenda vetë Dhiatës së Vjetër, e jo më brenda Dhiatës së Re. Por Luka 24 dëshmon se të gjitha Shkrimet e Dhiatës së Vjetër tregojnë drejt Krishtit.
Nga kjo nuk rrjedh, natyrisht, se të gjitha Psalmet flasin drejtpërdrejt për Krishtin. Disa janë më të tërthorta në qasjen e tyre. Kur mendojmë për Krishtin dhe për ungjillin e tij në Psalme në këtë mënyrë, jemi në rrugën e duhur. Kështu, Psalmet mbretërore shihen se e paraqesin Krishtin mbret, edhe nëse nuk citohen drejtpërdrejt në Dhiatën e Re. Ose Psalmi 73, një Psalm i mrekullueshëm urtësie, që sjell riorientim pas gjashtëmbëdhjetë vargjesh çorientimi, lë të kuptohet se Krishti është kulmi i urtësisë, gjë që mësohet në gjithë Dhiatën e Re. Ose Psalmi 91, që është një Psalm besimi, na mëson se Krishti ngadhënjeu atje ku Izraeli dështoi. Kështu e zbatojnë Mateu 4:6 dhe Luka 4:10–11 këtë Psalm për tundimin e vetë Zotit tonë nga Satani.
Gjithçka që u tha këtu nuk e zhvesh Psalterin nga zbatimi praktik në jetën tonë të tanishme. Përkundrazi. Madhështia e Perëndisë shpaloset me shkëlqim sublim në Psalme. Duke i kënduar Psalmet, ne i këndojmë dinjitetit fisnik të Zotit tonë. Por kjo është larg nga të qenit thjesht një soditje abstrakte dhe objektive. Në Psalter vërejmë se ka një qëndrim që “e përkthen … në një dëshirë të zjarrtë për të parë përmbushjen e asaj që pritet”.4 Si mund të rritet kisha në shtrirjen dhe në zellin e saj misionar? Duke i kënduar Psalmet në adhurimin e përbashkët.